Finlanda po ndjek me vendosmëri rezultatet e studimeve që tregojnë se fëmijët që kalojnë kohë me natyrën kanë më pak sëmundje dhe alergji gjatë gjithë jetës së tyre.
Gjithçka nisi në një kopësht fëmijësh në Lahti, ku studiuesit e Institutit të Burimeve Natyrore të Finlandës (LUKE) e kthyen oborrin artificial në një mini-pyll me myshqe, barëra e dhe, që fëmijët të luanin e të ndoteshin paksa.
Pas disa javësh, studiuesit vunë re ndryshime të mëdha: mikrobet e trupit të fëmijëve u bënë më të larmishme, duke i mbrojtur nga sëmundjet që lidhen me sistemin imunitar. Në gjakun e tyre u gjetën më shumë qeliza T mbrojtëse, ndërsa bakteret e dëmshme në lëkurë u ulën ndjeshëm.
Ky sukses i vitit 2021 frymëzoi një program kombëtar në 43 kopshte në të gjithë Finlandën. Secili prej tyre ka marrë 1 milion euro fonde për të shtuar më shumë hapësira të gjelbra, kopshtari, kompost dhe elementë natyrorë për lojë, shkruan Good News Network, përcjell Katror.info.
Në një nga kopshtet, fëmijët bënë “tortë çokollate” me baltë e rërë, mbollën manaferra të egra dhe përdorin kompostin për të rritur perime për kuzhinën e tyre.
Shkencëtari Aki Sinkkonen, që udhëhoqi studimin, tha: “Kur i afrojmë fëmijët me natyrën, ne forcojmë sistemin e tyre imunitar dhe lidhjen e tyre me botën përreth. Ky është një investim për të ardhmen.”
Nëse rezultatet përsëriten në shkallë kombëtare, Finlanda mund të ulë ndjeshëm sëmundjet imunitare dhe kostot shëndetësore në të ardhmen – duke provuar se ndonjëherë, shërimi fillon në baltë./Katror.info
















