Pronarët e autobusëve që operojnë në linjën Podujevë-Prishtinë kanë hyrë sot në grevë të pacaktuar, duke protestuar kundër vendimit të Komunës së Prishtinës për lëshimin e linjave të reja të transportit. Protesta po mbahet në fshatin Vranidoll që nga ora 09:00, ku autobusët janë ndalur në shenjë pakënaqësie, shkruan Kosova Press.
Shoqata e Transportit “Podujevë-Prishtinë” ka deklaruar se ky vendim është marrë pasi kërkesat e tyre nuk janë përfillur nga autoritetet komunale. Sipas kësaj shoqate, Komuna e Prishtinës ka vendosur të funksionalizojë linjat e reja Prishtinë-Vranidoll, Prishtinë-Kozaricë dhe Prishtinë-Lluzhan-Sharban, duke anashkaluar procedurat ligjore dhe të drejtat e operatorëve ekzistues.
Kjo është protesta e dytë brenda një muaji nga pronarët e autobusëve, të cilët kërkojnë që komuna të rishqyrtojë vendimin dhe të respektojë marrëveshjet ekzistuese për transportin publik. Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim nga autoritetet komunale lidhur me këto kërkesa./Katror.info