A keni menduar ndonjëherë pse limonët shiten shpesh në ato qeset rrjetë të verdha? Rezulton se nuk është thjesht rastësi – por një truk i menduar mirë nga prodhuesit dhe supermarketet për t’ju joshur që të blini më shumë fruta.
I njëjti “sekret” vlen edhe për portokallet, të cilat zakonisht paketohen në rrjeta të kuqe. Këto ngjyra nuk zgjidhen për bukuri, por për një efekt të njohur si iluzioni vizual shumëngjyrësh – një lojë optike që mashtron perceptimin tonë të ngjyrave, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.
Rrjeta e kuqe apo portokalli rreth portokalleve i bën të duken më të ndezura, më të lëngshme dhe më të pjekura. Nëse fruti është pak i gjelbër, rrjeta e ka aftësinë të “zhdukë” këtë nuancë dhe të forcojë ngjyrën portokalli, duke krijuar imazhin e pjekurisë së plotë. E njëjta gjë ndodh me limonët: një rrjetë e verdhë i thekson natyrshëm ngjyrën e tyre, ndërsa një rrjetë e kuqe do t’i bënte të dukeshin sikur po tentojnë të kthehen në portokalle – pra më pak tërheqës për konsumatorin.
Si funksionon ky iluzion?
Sipas një studimi të ri nga psikologu Karl R. Gegenfurtner i Universitetit të Giessen në Gjermani, rrjetat me ngjyrë shfrytëzojnë një fenomen vizual ku truri ynë përzien ngjyrat që sheh pranë njëra-tjetrës. Në iluzionin e vizual shumëngjyrësh, një top me ngjyrë neutrale vendoset në një rrjetë me vija shumëngjyrëshe; topi në fakt nuk ndryshon ngjyrë, por syri ynë e percepton atë ndryshe në varësi të ngjyrës së vijave që e rrethojnë.
Truri ynë kërkon t’i thjeshtojë pamjet dhe të krijojë vazhdimësi sa më të natyrshme, duke bashkuar ngjyrat e afërta. Kështu, një limon i mbuluar me rrjetë të verdhë duket edhe më i verdhë – më i freskët, më i pjekur, më “i bukur” për sy.
A i rrit ky iluzion vërtet shitjet e limonëve dhe portokalleve? Ende nuk ka prova të qarta. /Katror.info
Burimi: OGN Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info















