Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tërhiqen nga Eurovision 2023 dhe shkak për këtë është bërë kostoja e madhe e qëndrimit në Britaninë e Madhe. Sipas një deklarate të lëshuar nga transmetuesit e të dy vendeve, kostoja e pjesëmarrjes në konkursin muzikor shumëkombëtar ka qenë një faktor kyç që ka bërë që të vendosin të mos konkurrojnë këtë vit, shkruan The Independent.
Çdo transmetues i konkursit paguan një tarifë që vendi i tij të marrë pjesë, e cila ndryshon në varësi të madhësisë së vendit.
Siç thuhet në një raport të BBC, disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë për shkak të mungesës së Rusisë, më parë një kontribues i madh financiar.
Edhe pse shuma e paguar nga çdo transmetues individual nuk është informacion publik, kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë normalisht shkon deri në rreth 5 milion £.
Në një deklaratë, transmetuesi publik i Malit të Zi RTCG përmendi planet për t’i përdorur paratë që janë menduar të shpenzohen në Eurovizion, për projektet e tyre kombëtare.
RTCG tha: “Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe, u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, kështu që vendosëm të drejtonim burimet ekzistuese për financimin e projekteve të tanishme dhe të planifikuara kombëtare”./Katror.info
