Për të tretën herë radhazi, punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar ekzekutimin e pagave të tyre të vonuara. Protesta u mbajt para objektit të RTK-së, ndërsa organizatorët thanë se situata në këtë institucion publik po bëhet e papërballueshme, raporton Ekonomia Online.
Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë menjëherë dhe të veprojë njësoj si në gusht të këtij viti, kur ishin ekzekutuar pagat pas një situate të ngjashme.
“Gjendja në RTK është përkeqësuar ndërsa institucionet po vazhdojnë të heshtin. Mbi 700 familje të punonjësve të RTK-së po përballen me probleme për mbijetesë — presione nga bankat, detyrime për të paguar dhe ankth të përditshëm për të ardhmen,” tha Bimbashi.
Ai e cilësoi situatën si “krizë të identitetit” dhe jo vetëm ekonomike, duke kërkuar nga qeveria që të mos e politizojë çështjen. “Mos i fusni punëtorët e RTK-së në beteja politike. Ne nuk jemi pjesë e asnjë partie, por punëtorë që kërkojmë atë që na takon me ligj,” shtoi ai.
Sipas tij, pavarësisht deklaratave publike, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për zgjidhjen e problemit, ndërsa menaxhmenti nuk ka njoftuar zyrtarisht punëtorët për vonesat e pagave.
Sindikalistët njoftuan gjithashtu se nga e hëna do të hyjnë në grevë njëorëshe, duke ndalur punën çdo ditë nga ora 11:00 deri në 12:00, deri në zgjidhjen e çështjes së pagave.
“RTK është pronë publike dhe e qytetarëve, e jo e partive politike. Ne do ta mbrojmë me dinjitet, unitet dhe vendosmëri,” përfundoi Bimbashi.
/EO/Katror.info/
















