Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në bashkëpunim me Medica Kosova dhe organizatat pjesë e platformës “Bëhu Zëri Im”, ka organizuar punëtorinë për feminizmin si pjesë e projektit “Fuqizimi i Zërave”, shkruan Katror.info.
Kjo punëtori shërbeu si një hapësirë reflektimi të thelluar dhe diskutimi të hapur mbi normat patriarkale, sfidimin e stereotipeve gjinore dhe rëndësinë e përfshirjes së qasjeve feministe në punën me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte të forcojë kuptimin dhe praktikimin e feminizmit si mjet për fuqizim, drejtësi dhe rehabilitim, duke krijuar një rrjet solidar dhe mbështetës për gratë dhe burrat që kanë përjetuar trauma të rënda.
Punëtoria është organizuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i Zërave”, i cili mbështetet nga BMZ (Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) dhe organizata gjermane medica mondiale e. V..
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë, ku zërat e të mbijetuarve të dëgjohen dhe fuqizohen./Katror.info