Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga Pako për përballje me krizën energjetike, pas pranimit të fondeve nga Bashkimi Evropian për përmbylljen e suksesshme të disbursimit të subvencioneve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se këto mjete do të përdoren për disbursimin e subvencioneve për pajisje ngrohëse efiçiente dhe për trajtimin e listës së pritjes për izolim të shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Ministria dhe Fondi do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për finalizimin e këtyre proceseve sa më shpejt.
Që nga viti 2022, përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, më shumë se 43 mijë familje dhe biznese janë përkrahur me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës në mbarë vendin.
Ministria falënderon Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm, që ka mundësuar realizimin e programeve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve./Katror.info