“Përfunduam një javë të jashtëzakonshme në Marché du Film në Kanë! Paviljoni 137 në International Village Riviera u bë një pikë takimi e gjallë për kineastët, producentët dhe krijuesit nga Kosova dhe Shqipëria, duke prezantuar historitë, projektet dhe vizionin tonë për komunitetin ndërkombëtar të filmit”, përcjell Katror.info.
Kështu përfundoi reagimi i Qendrës Kinematografike të Kosovës pas pjesëmarrjes së suksesshme në Marché du Film, pjesë e Festivalit prestigjioz të Filmit në Kanë.
Në këtë edicion, QKK u përfaqësua në programin “Focus COPRO” 2025 me projektin “LOST FRAMES” – debutimi i parë në metrazh të gjatë i regjisorit Samir Karahoda.
Pas suksesit me filmat e tij të shkurtër në Kanë, Karahoda nis një kapitull të ri krijues me një projekt të mbështetur nga QKK si projekt në zhvillim. Programi “Focus COPRO”, pjesë e programeve kreative të Festivalit të Kanës që nga viti 2018, ka si synim mbështetjen e regjisorëve të rinj me potencial të lartë, duke i lidhur ata me vendimmarrës kyç të industrisë globale të filmit.
“LOST FRAMES” është përzgjedhur si një nga shtatë projektet ndërkombëtare që do të prezantohen këtë vit në Kanë, një mundësi e rëndësishme për zhvillimin dhe rrugëtimin ndërkombëtar të filmit./Katror.info