Më 12 qershor, në një atmosferë festive dhe kulturore, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Paris, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe organizatën Anibar, organizoi një pritje të veçantë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animacionit në Annecy, Francë.
Ngjarja u mbajt në hapësirën “Chill Out Area” të Pallatit Imperial gjatë tregut MIFA (Marché international du film d’animation), duke sjellë në qendër të vëmendjes animacionin kosovar dhe krijimtarinë vendore në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare për këtë zhanër filmi.
“Faleminderit të gjithë partnerëve dhe pjesëmarrësve që e bënë këtë mbrëmje të paharrueshme,” thuhet në reagimin e QKK-së në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen dhe bashkëpunimin institucional e artistik.
Pjesëmarrja e Kosovës në Annecy shënon një hap të rëndësishëm për prezantimin ndërkombëtar të artit të animacionit nga vendi, duke rritur vizibilitetin e talenteve dhe projekteve të reja në tregun global të filmit./Katror.info