Qyteti japonez i Toyoakes dëshiron që ta kufizojë përdorimin e telefonit për të gjithë 69 mijë banorët e tij në dy orë në ditë.
Propozimi, që besohet të jetë i pari i këtij lloji në Japoni, aktualisht është në diskutim mes deputetëve pasi u paraqit nga qeverisja komunale e Toyoakes në fillim të javës, shkruan Koha.
Kryetari i qytetit, Masafumi Koki, ka thënë se propozimi – i cili do të aplikohej jashtë punës dhe shkollës – nuk do të ishte i detyrueshëm, por më shumë ka qëllim të inkurajojë banorët ta menaxhojnë kohën e tyre.
Nuk do të ketë dënime për shkeljen e këtij rregulli që do të ishte aktiv nga tetori nëse aprovohet nga ligjvënësit.
“Kufizimi dyorësh është vetëm një udhëzues për të inkurajuar banorët. Nuk nënkupton se qyteti do të kufizojë të drejtat e banorëve ose se do të jetë e detyrueshme”, ka thënë kryetari. /Katror.info