Real Madrid – Juventus vlerësohet si ndeshja kryesore e së mërkurës në Ligën e Kampionëve. Kjo ndeshje zhvillohet në “Santiago Bernabeu” nga ora 21:00 dhe i takon xhiros së tretë të fazës së grupeve në Champions.
Real Madridi, synon të vazhdojë me fitore. Skuadra e Xabi Alonsos në xhiron e parë fitoi 2:1 ndaj Marseille, ndërsa në të dytën mposhti 5:0 Kairatin.
Kurse, Juventusi në xhiron e parë të Championsit ka arritur barazim dramatik 4:4 me Borussia Dortmundin, duke bërë një kthim të madh në minutat e fundit. E në xhiron e dytë barazoi 2:2 me Villarrealin.
Ekipi i Madritit është në formë të mirë edhe në La Liga. Ndryshe është situata te Juventusi, i cili nuk ka fituar që nga 13 shtatori, duke pasur pesë barazime para humbjes së fundit.
Kjo situatë e ka rritur presionin ndaj Igor Tudorit.
“Pres një reagim të madh nga ekipi im. Motivi vjen vetëm me ardhjen këtu, në Bernabeu. Kam besim se do të luajmë një ndeshje të mirë. Secili ekip ka pika të forta dhe dobësi. Madridi është një ekip që mund të shënojë gol në çdo moment. Dua të shoh një paraqitje të mirë dhe një ekip që është në gjendje të godasë madrilenët, në kuptimin sportiv,” ka thënë Tudor.
Kurse Alonso është i vetëdijshëm për krizën e skuadrës nga Torino, por megjithatë pret një ndeshje të vështirë.
“Pavarësisht rezultateve të fundit, ne jemi gati për një ndeshje të vështirë. Edhe në momentet e vështira, Juventusi mbetet një ekip i rrezikshëm. Kenan Yildiz është në formë të shkëlqyer,” ka thënë ai./RTK/Katror.info