Renea Morina, nxënësja artiste nga Gjakova e cila duke vizatuar dhe dekoruar xhamat në biznese të ndryshme i doli në krah nënës vetushqyese për mbajtjen e familjes, ka fituar një bursë të plotë nga Qendra Inovative e Kosovës (ICK).
Morina, është studentja e parë me këtë lloj burse nga ICK. Ajo ka fituar këtë bursë për klasën e dizajnit grafik dhe multimedia e animacion.
Kështu ka bërë të ditur vetë Qendra në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, raporton Katror.info.
“Komuniteti ynë është i përkushtuar ta ndihmojë Renean në aftësimin dhe zhvillimin profesional, që në të ardhmen të jetë krah edhe më i fortë për familjen e saj dhe shoqërinë”, thuhet në njoftimin e ICK.
Renea Morina, fillimisht kishte shprehur vullnetin që të pikturojë dritaret e bizneseve të ndryshme gjatë kohës së festive të fundvitit për të mbështetur nënën e saj financiarisht. Ajo këtë gjë e ka shprehur në një grup në Facebook të quajtur Netëork Prishtina.

Persona të njohur për publikun patën reaguar në shenjë përkrahjeje për Morinën./Katror.info