Policia e Kosovës ka bërë apel për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në kushte të motit me shi.
Kjo thirrje vjen si masë parandaluese për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të ulur numrin e aksidenteve që mund të shkaktohen nga rrugët e lagështa dhe shikueshmëria e zvogëluar.
Në njoftimin e publikuar, Policia thekson rëndësinë e ndjekjes së disa këshillave themelore për ngasje të sigurt në kushte atmosferike të vështira:
-Mbani dritat e ndezura për të rritur dukshmërinë si për veten ashtu edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
-Zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë më shumë kohë dhe distancë për frenim.
-Shmangni shpërqendrimet, veçanërisht përdorimin e telefonit gjatë ngasjes.
-Mbani distancë të mjaftueshme nga mjetet përpara jush, për të parandaluar përplasjet e mundshme.
Policia thekson se reshjet nuk duhet të jenë arsye për mungesë kujdesi. “Siguria është në duart tuaja,” thuhet në njoftim.
Për çfarëdo nevoje apo incidenti në trafik, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin emergjent 192, qoftë nga telefonia fikse apo ajo mobile./Telegrafi/Katror.info