Në Gjirokastër po kryen ndërhyrje për restaurimin dhe mirëmbajtjen e objekteve muzeale, të cilat krahas vlerave që mbartin janë edhe pika të veçanta për tërheqjen e turistëve.
Punimet janë përqendruar në disa godina karakteristike çka bën të mundur evidentimin e vlerave të trashëgimisë ndërtimore. Ndërhyrjet restauruese po kryhen duke i qëndruar besnik origjinalitetit të tyre ndërtimor dhe arkitektonik, shkruan euronews.
“Në kuadrin e përgatitjeve për sezonin turistik dhe përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar që do të zhvillohet në fund të këtij muaji, në qytetin e Gjirokastrës, ne si DRKK kemi marrë një fushatë për restaurimin e pjesëve të ndryshme në rrugët kryesore të Pazarit të Gjirokastrës për të mos pasur problem gjatë kësaj kohe. Tani për tani ne jemi përqendruar në një punë specifike në Qafën e Pazarit, të ish gjashtëkëndëshi dhe në krah, i cili ka pasur probleme me suvatimet, të cilat mund të binin dhe të dëmtonin njerëzit dhe kalimtarët dhe ne me metodat tona, të rikonstruksionit po e kthejmë në gjendjen e mëparshme”, tha Vasil Polo, inxhinier DRTK, Gjirokastër.
Turistët e shumtë që vizitojnë këto ditë vere qytetin e gurtë vlerësojnë elementët ndërtimorë, muzealë të tij si dhe figurat e Gjirokastrës që spikasin në rang botëror si shkrimtari Ismail Kadare.
“Është një qytet i veçantë, i ndryshëm nga qytetet që kemi parë në vendet e tjera dhe ne dëshironin të ishim këtu dhe tani ndodhemi në këtë qytet. Jemi shumë të gëzuar veçanërisht në këtë vend, në shtëpinë e Ismail Kadaresë”, u shpreh një turist.
Në javën e fundit të qershorit Gjirokastra do të mirëpresë organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili rikthehet pas 8 vitesh për t’i dhënë gjallëri qytetit dhe pasuruar vlerat turistike të tij. /Katror.info
Përgatiti:
