Profesori dhe eksperti i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se një pjesë e çështjeve që lidhen me shpërndarjen e librave do të mund të shmangej.
Sipas tij, është pozitive që janë futur në sistem alternativat ku mësimdhënësit vendosin se cilat libra të blihen. Gjithashtu, sipas tij, përparësi janë edhe librat online, e po ashtu edhe mjetet që ndahen për blerjen e mjeteve shkollore.
Ka thënë se mangësi janë që librat duhet të blihen në librari në vend se t’u dërgohen fëmijëve.
Rexhaj ka thënë se është i panevojshëm, siç e ka quajtur ai, maltretimi i prindërve për të shkuar dhe për t’i gjetur librat e fëmijëve.
“Kjo është mungesë kreativiteti dhe punë e kokëfortësisë. Kur je në pushtet, mjetet duhet të shpenzohen në mënyrën më racionale të mundshme. Nuk e kuptoj pse. Por, kjo mënyra e re e zgjedhjes së librave, mendoj që ulë nivelin e korrupsionit. Tash mësimdhënësit zgjedhin. Shpërndarja është racionale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mjetet janë të pamjaftueshme për blerjen e librave.
Sipas tij, Ministria e Arsimit duhet ta rishikojë shumën që e ka vendosur për blerjen e librave.
“Është problematike që fondet nuk shpërndahen edhe për tekstet shkollore për edukimin parafillor. Nëse në ligj ka thënë se ky nivel është i obligueshëm, Ministria e ka marrë me automatizëm obligimin që t’i sigurojë edhe ajo”, ka thënë ai.
Rexhaj ka thënë se sistemi arsimor në Kosovë ka filluar të konsolidohet.
Ka shtuar se shkollat po punojnë më mirë se Ministria.
Ndërkaq për mësimin gjithëditor në Prishtinë, ai ka thënë se ka pak transparencë lidhur me këtë çështje./Koha