Komisioni Qendror Zgjedhor është duke publikuar në vazhdimësi votat e numëruara të zgjedhjeve lokale të mbajtura sot në Kosovë. Sipas këtyre rezultateve garë e ngushtë po zhvillohet në komunat e mëdha.
Prishtina me 83.58 për qind të votave të numëruara çon në balotazh Përparim Ramën e LDK-së me 33.76 për qind me Hajrulla Çekun e LVV-së me 32.90 për qind.
Në Prizren, me 91.1 për qind të votave të numëruara në balotazh shkojnë Shaqir Totaj i PDK-së me 41.92 për qind dhe Artan Abrashi i LVV me 29.87 për qind.
Rezultati i KQZ-së ka përmbysur atë të exit-polleve në Mitrovicë, meqë atje tashmë po zhvillohet garë e ngushtë mes Arian Tahirit të PDK-së me 48.07 për qind dhe Faton Pecin e LVV me 47.66 për qind nga 99.05 për qind e votave të numëruara.
Në Pejë Gazmend Muhaxheri i LDK-së prin me 46.11 % ndaj Taulant Kelmendit të LVV-së me 28.13 për qind, nga gjithsej 97.14 vota të numëruara.
Në Gjakovë Ardian Gjini i AAK-së prin me 47.26 për qind ndaj Aridan Golës së LVV-së me 33.74 për qind, kur janë numëruar 95.89 për qind e votave.
Në Ferizaj sipas rezultateve të KQZ-së fitues pa balotazh është Agim Aliu i PDK-së me 56.32 për qind te votave nga 91.16 për qind të numëruara.
Në Gjilan prin Alban Hyseni i LVV me 49.79 për qind të votave ndaj Arbër Ismailit të LDK-së me 34.24 nga të gjitha votat e numëruara. /Katror.info