Tashmë e konfirmuar zyrtarisht; Bridget Jones do të rikthehet në ekranin e madh të kinemave. Pas disa muajsh spekulime për një film të katërt në sagë, tabloidi britanik Daily Mail ka konfirmuar se Bridget do të rikthehet me pulovrat e saj gazmore të Krishtlindjeve dhe gafat qesharake që të gjithë i njohim dhe i pëlqejmë.
“Ka pasur pak komedi romantike aq të njohura, sa Bridget Jones në dy dekadat e fundit,” tha një burim, duke shtuar: “Dhe pse të gjithë mendonin se kjo histori kishte mbaruar, producentët e dinin gjithmonë se kishte një treg të madh për vazhdimin e tij”.

Filmi i ri vjen 8 vjet pas “Bridget Jones’s Baby”, dhe do të bazohet në romanin e Helen Fielding të vitit 2013 , “Bridget Jones: Mad About The Boy” i cili eksploron jetën e një nëne beqare 51-vjeçare me dy fëmijë.
Sa i përket kastit, nuk ka Bridget Jones pa Renée Zellweger. Aktorja fituese e Oskarit do të rikthehet për të luajtur rolin e heroinës së preferuar.
Sipas raportimeve, Zellweger është e emocionuar për të ripërsëritur këtë rol, sepse “e do shumë personazhin” siç shprehet ajo.
Colin Firth dhe Hugh Grant gjithashtu mund të kthehen në kast , në rolet e tyre përkatëse si Mark Darcy dhe Daniel Cleaver, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Gjithçka në lidhje me këtë film të ri është ende top sekret, ajo që dihet është vetëm se Renée Zellweger do të fillojë xhirimet në maj. Me fillimin e xhirimeve në pranverë, ndoshta mund të presim një datë debutimi në vitin 2025 për “Bridget Jones 4” . /Katror.info
Përgatiti:
