E plotësuar 12:06
Nga nesër hyn në fuqi zbatimi i plotë i Rregullores për rregullimin e parkingjeve në Kryeqytet, në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme, shkruan Katror.info.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të gjitha parkingjet publike të menaxhuara nga ndërmarrja “Prishtina Parking” do të shfrytëzohen vetëm me pagesë, sipas tarifave zyrtare.
Sipas njoftimit, çdo parkim pa pagesë do të sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin aktual.
Autoritetet komunale theksojnë se ky vendim synon të sigurojë një përdorim më të drejtë dhe efikas të hapësirës publike, duke i shërbyer në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve të Prishtinës.
Ndërkaq, shefi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj njoftimit të Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama, për rikthim të funksionalitetit të plotë i “Prishtina Parkingut”.
Ai ka thënë se aktivizimi i gjobave dhe masave ndëshkuese nga “Prishtina Parking”, pa plotësim/ndryshim të Rregullores nga Kuvendi i Prishtinës është i jashtëligjshëm.
“Që nga muaji maj, kur Gjykata Supreme ka rrëzuar disa dispozita të Rregullores, ekzekutivi i Prishtinës ka pasur kohë të mjaftueshme që ta sjellë në Kuvend ndryshimin e saj. Por nuk e ka barë. Çdo gjobë e shqiptuar në këtë periudhë është e kontestueshme dhe e cenon drejtpërdrejtë parimin e legalitetit”, ka shkruar Sevçla në një koment në njoftimin e Komunës së Prishtinës për këtë çështje në Facebook.
Sipas tij përgjegjësia bie mbi ekzekutivin, që sipas tij, “po vepron pa bazë ligjore dhe në kundërshtim më vendimin e gjykatës më të lartë në vend”. /KOHA/Katror.info