Një shkëmbim i shkurtër mes Rita Orës dhe Yll Limanit në Instagram ka mjaftuar për të ndezur rrjetet sociale dhe për të hapur diskutimin rreth një bashkëpunimi të mundshëm mes tyre.
Gjithçka nisi kur Yll Limani, një nga zërat më të njohur të skenës moderne shqiptare, publikoi një “story” duke lavdëruar një nga këngët e fundit të Rita Orës, shkruan katror.info.
“Rita! E dua shumë këngën Love All Natural“, i shkroi Ylli.

Këngëtarja me famë botërore, e lindur në Prishtinë dhe e rritur në Londër, iu përgjigj me entuziazëm. “Ah legjendë, faleminderit! Do të thotë shumë, sidomos kur vjen nga një bashkatdhetar,” ia ka kthyer Rita.
Pas këtij momenti, Ylli i shkroi me humor: “A bashkëpunojmë?” – dhe Rita iu përgjigj shkurt: “Po!”
Në fund, Ylli shtoi: “Atëherë, le ta bëjmë!”, ndërsa Rita e ndau bisedën në “story” duke shkruar sipër: “@ylllimani !!!!” dhe poshtë: “Epo, le ta nisim!”
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar ndonjë projekt konkret, ndaj gjithçka mbetet një shkëmbim miqësor që ka ngjallur shumë pritshmëri te fansat.
Rita Ora, me një karrierë ndërkombëtare të pasur dhe hite si “Let You Love Me” e “Anywhere”, ka ruajtur gjithmonë lidhjen me rrënjët e saj shqiptare. Ndërsa Yll Limani, një nga artistët më të pëlqyer të brezit të ri, po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e tij në muzikën shqipe me këngë të ndjera dhe bashkëpunime të suksesshme./Katror.info














