Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka treguar për herë të parë se ka qenë ajo që i ka propozuar burrit të saj, regjisorit të njohur Taika Waititi, gjatë një udhëtimi romantik në Palm Springs.
Në një intervistë për podcastin Begin Again të Davina McCall, Rita, tani 34 vjeçe, rrëfeu se i theu të gjitha traditat duke u ulur vetë në gjunjë.
“Thjesht e bëra të gjithën vetë,” tregoi ajo. “Isha në dhomën e hotelit, plot me tullumbace dhe tortë – gjëja ime e preferuar. Bëra edhe unazat, nuk doja diçka të tepruar… pastaj u ula në gjunjë, dhe Taika e adhuroi këtë.”
Çifti, që u martua në një ceremoni të vogël dhe private më 4 gusht 2022 në Los Anxhelos, kishte vetëm tetë të ftuar, përfshirë motrën e Ritës, Elena, dhe dy vajzat e Taika-s.
Në të njëjtin podcast, Rita tregoi se marrëdhënia e tyre ka në thelb miqësinë, dhe kjo e ka frymëzuar edhe në albumin e saj të fundit You & I. “Doja t’u tregoja njerëzve ku jam në jetën time – si një ditar i hapur,” tha ajo.
Ndërsa për Taikën, Rita e cilësoi si “mikun më të mirë” dhe tha se lidhja e tyre nisi nga një miqësi e gjatë që u kthye në dashuri në vitin 2021./Katror.info