Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet partive politike. Deputetët e zgjedhur kanë dështuar sot për herë të dytë ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, duke thelluar më tej krizën institucionale në vend.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili përmes një postimi në rrjetin social Blue Sky ka shprehur shqetësimin e tij për zvarritjen e formimit të institucioneve.
“Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave obstruktive. Qytetarët meritojnë politikanë që e vendosin Kosovën para politikës partiake. Prandaj e përsëris: Bashkëpunimi i sinqertë është urgjentisht i nevojshëm për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie stabile!”, ka shkruar Rohde.
Ai ka theksuar se është koha që liderët politikë të lënë anash interesat e ngushta partiake dhe të punojnë për të mirën e vendit dhe qytetarëve të tij.
Deklarata e ambasadorit vjen në një moment kritik, kur procesi i krijimit të institucioneve ka hyrë në një ngërç të thellë, ndërsa qytetarët presin me shqetësim zhvillimet e mëtejme politike.
Ndërkohë, seanca për konstituimin e Kuvendit, e planifikuar për 17 prill, ka dështuar sërish. Ajo ishte vazhdim i seancës së 15 prillit, në të cilën nuk u arrit të votohej raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve. /Katror.info
Përgatiti:
