Për shkak të rrëshqitjes së dheut është mbyllur përkohësisht segmenti i 27-të i autostradës “Ibrahim Rugova”, në mes të Prizrenit dhe Suharekës.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se kjo pjesë do të mbetet e bllokuar për qarkullim të automjeteve deri në pastrimin e dheut, shkruan Kallxo.com

“Ju njoftojmë se për shkak te rrëshqitjes se dheut është mbyllur autostrada “Ibrahim Rugova”, ne segmentin e 27-të, në mes të Prizrenit dhe Suharekës. Me qellim të lëvizjes së sigurt të qytetarëve në këtë segment kjo pjesë është bllokuar për qarkullimin e automjeteve deri në pastrimin e dheut të shembur.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës, më 05.03.2025.
Ministria ka njoftuar se ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zhbllokimin e rrugës.
“Ekipet tona të mirëmbajtjes janë ne vendin e ngjarjes duke ndërmarrë hapat konkret për lirimin e kësaj pjesë të Autostradës në fjalë. Lusim të gjithë qytetarët e vendit tonë, që deri në pastrimin e dheut dhe lirimin për qarkullim të këtij segmenti të shfrytëzojnë rrugët alternative. Lidhur me pastrimin e dheut nga autostrada do ju njoftojmë me kohë!”- thuhet mes tjerash në njoftim./Katror.info