Mënyra se si punojmë ka ndryshuar – dhe me të, edhe mënyra si e kuptojmë balancën mes punës dhe jetës. Puna nga shtëpia është bërë normë e re. Teknologjia dhe inteligjenca artificiale po e transformojnë çdo profesion. Kufiri midis punës dhe jetës personale është bërë më i paqartë se kurrë. Shumë njerëz gëzojnë më shumë liri, por për shumë të tjerë, është bërë më e vështirë të shkëputen nga puna.
Emailat, telefonatat dhe takimet “online” vazhdojnë edhe pas orarit. Pushimi po bëhet luks. Balanca punë-jetë do të thotë të ndash kohë të mjaftueshme jo vetëm për punë, por edhe për gjërat që të mbajnë mirë – familjen, shëndetin dhe jetën shoqërore, – shkruan Katror.info.
Një punë që kërkon shumë mund të sjellë më shumë të ardhura, por mund të dëmtojë trupin dhe mendjen. Sipas studimeve ndërkombëtare, orët e gjata lidhen me sëmundje të zemrës, diabet dhe stres kronik.
Sipas Oxford Economics, zëvendësimi i një punonjësi kushton mesatarisht 30 mijë funta dhe duhen 28 javë që ai të arrijë produktivitetin e mëparshëm. Prandaj, është ide e mirë që punonjësit ekzistues të mbahen të kënaqur.
Edhe në Kosovë, njerëzit po kuptojnë se u nevojitet një ekuilibër më i mirë në jetë. Sipas raportit “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen” të RrGK-së dhe UNFPA, politikat miqësore për familjen ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit, rrisin përfshirjen e grave në tregun e punës dhe përmirësojnë mirëqenien e familjeve.
Raporti rekomandon:
• rritjen e lejeve prindërore për baballarët,
• fleksibilitet në orar,
• mbështetje për nënat që ushqejnë me gji
dhe hapësira për kujdesin e fëmijëve në vendin e punës.
Ndërkohë, një studim i Institutit të Teknologjisë së Rochester-it (RIT) tregon se Gjenerata Z në Kosovë e vlerëson shumë balancën mes punës dhe jetës, por shpesh e sakrifikon për siguri pune ose paga më të larta. Ata preferojnë modele hibride, disa ditë në zyrë, disa nga shtëpia dhe kërkojnë më shumë hapësirë për mirëqenie mendore.
Sipas aktivistes feministe, Adelina Tërshani, diskriminimi ndaj grave në punësim mbetet i përhapur dhe shteti duhet të marrë masa më të fuqishme.

“Ma shumë sesa në dorë të punëdhënësve, është në dorë të shtetit të parandalojë diskriminimin në baza gjinore që u bëhet grave në tregun e punës. Qysh në intervista pune gratë përballen me pyetjen diskriminuese ‘a keni në plan të bëni fëmijë?’. Punëdhënësit kanë qasje diskriminuese dhe shteti nuk bën asgjë për ta parandaluar këtë. Me dekada, organizatat për të drejtat e grave dhe aktivistet kanë avokuar që pushimi/leja e lehonisë të financohet nga shteti. Ata madje kanë bërë analiza që tregojnë se sa konkretisht do t’i kushtonte buxhetit të shtetit një politikë e tillë me sensitivitet gjinor. Një shtet që nuk i sheh gratë vetëm si makina për ‘shtimin e natalitetit’, krijon politika të mirëfillta për mirëqenien e grave duke siguruar që atyre të mos u shkelet e drejta bazike për një vend pune dhe një bazë financiare” – u shpreh ajo.
Kjo balancë punë-jetë është e rëndësishme jo vetëm për brezin Z meqë, puna është pjesë e jetës, por jo e gjithë jeta!/Katror.info.















