Ditët e nxehta që ne i shijojmë mund të jenë tejet të rrezikshme për kafshët shtëpiake, veçanërisht për papagajtë, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta
Edhe pse duken të gjallë dhe të fortë, këta zogj dehidratohen lehtësisht, dhe problemi është se shpesh nuk tregojnë shenja të dukshme derisa situata të përkeqësohet. Vapa mund të çojë në pasoja serioze shëndetësore, vetëm për shkak të mungesës së ujit.
Ndërsa ne mund të freskohemi me një limonadë të ftohtë, papagajtë kanë vetëm një mundësi – ujin. Dhe ai duhet të jetë i freskët, i pastër dhe gjithmonë i disponueshëm.
Mungesa e ujit, nxehtësia, stresi apo një dietë jo e balancuar mund ta prishin lehtësisht ekuilibrin në trupin e një zogu, duke shkaktuar dehidratim që mund të dëmtojë organet jetësore, madje të rrezikojë jetën e tij.
Si ta kuptoni nëse papagalli është i dehidratuar?
Fatkeqësisht, shumica e pronarëve e kuptojnë se diçka nuk shkon vetëm kur gjendja është përkeqësuar. Shenjat paralajmëruese përfshijnë: sy të fundosur, pupla të shurdhëta, sqep dhe lëkurë të thatë, mungesë energjie dhe dobësi të përgjithshme.
Një zog i dehidratuar shpesh refuzon ushqimin, merr frymë me shpejtësi dhe duket letargjik. Mund të ketë mukozë të tharë në gojë dhe humbje të papritur në peshë. Në këtë fazë, bëhet fjalë për një emergjencë që kërkon ndihmë të menjëhershme veterinare, transmeton Telegrafi.
Si të parandaloni dehidratimin?
Parandalimi është çelësi. Një tas me ujë duhet të jetë gjithmonë i mbushur, i pastër dhe i lehtë për t’u arritur. Ndërroni ujin disa herë në ditë dhe shmangni ekspozimin e tij në rrezet direkte të diellit. Gjatë verës, papagajtë kanë nevojë për të paktën 5% të peshës së trupit të tyre në ujë çdo ditë.
Ftohja me kujdes është e lejueshme – një ventilator i lehtë ose një cep i hijezuar mund të ndihmojë, por mos e drejtoni kurrë ajrin direkt tek zogu.
Kur është koha të shkoni te veterineri?
Nëse vini re ndonjë nga shenjat e përmendura më lart, mos u përpiqni ta zgjidhni vetë situatën. Çdo orë ka rëndësi – zogjtë e vegjël e humbasin shpejt qëndrueshmërinë fizike.
Konsultohuni menjëherë me një veteriner me përvojë në trajtimin e shpendëve. Ndërhyrja në kohë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Mbani mend: Zogu juaj nuk mund t’ju tregojë kur është i sëmurë, por ju mund të mësoni të dalloni “britmat e tij të heshtura” për ndihmë. Dhe kur e dini këtë, çdo ditë vere mund të jetë e sigurt dhe freskuese për mikun tuaj me pendë. /Katror.info
Përgatiti:
