Serbë në Kosovë festojnë Krishtlindjen Ortodokse. Ceremonitë fetare dhe traditat janë zhvilluar në disa vende të Kosovës.
Në Manastirin e Graçanicës, festa e Krishtlindjes ka filluar me liturgjinë e mesnatës së Shën Gjon Gojartit. Në prani të një numri të madh besimtarësh, liturgjinë e shërbeu mitropoliti Rashkë-Prizren, Teodosije.

Ai e ka lexuar mesazhin e Krishtlindjeve të Patriarkut serb Porfiri.Gjithashtu dhjetëra besimtarë në kishën e Shën Nikollës në Prishtinë kanë festuar Krishtlindjet.
Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, një numër besimtarësh u mblodhën në Tempullin e Shën Dhimitrit për të marrë pjesë në liturgjinë e organizuar për këtë ditë.
Një tjetër ceremoni u zhvillua në Manastirin e Banjskës, me zakone dhe rituale të veçanta. Gjatë shënimit të kësaj feste u zhvillua edhe një prej traditave kryesore të Krishtlindjes Ortodokse, ajo e djegies së pemës së Krishtlindjes.
Ndërkaq edhe presidentja Osmani i ka uruar qytetarët me rastin e kremtimit të kësaj feste.
“Kjo festë na kujton dashurinë, solidaritetin dhe shpresën, vlera që na bashkojnë dhe na forcojnë si shoqëri. Qoftë kjo kremtë një moment reflektimi dhe gëzimi për të gjithë!”, ka uruar Osmani.
Gjithashtu edhe Ambasada Amerikane në Kosovë ka uruar serbët që jetojnë në Kosovë me rastin e kremtimit të Krishtlindjes Ortodokse.
“Të gjithëve që festojnë në Kosovë, urime Krishtlindjen Ortodokse”, thuhet në postimin e Ambasadës së Amerikës në rrjetin social “X”./Katror.info