Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it, ka marrë vendim sot të ndërpresë marrëdhënien e punës të kryeshefit ekzekutiv Evetar Zeqiri.
Vendimi është marrë në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe statutin e kompanisë.
Me këtë rast, Bordi ka emëruar Shaban Nezirin, zëvendëskryeshef ekzekutiv, si ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, deri në një vendim tjetër, thuhet në njoftimin e KOSTT.
Shaban Neziri, me profesion inxhinier i Elektroteknikës, është pjesë e KOSTT-it që nga themelimi i tij dhe gëzon një përvojë të gjatë profesionale brenda kompanisë.
KOSTT menaxhon Sistemin e Transmetimit të Republikës së Kosovës. Përgjegjësi e KOSTT-it është që të transmetojë energjinë elektrike nga njësitë e gjenerimit deri te sistemi i shpërndarjes.
Aktualisht, rrjeti i transmetimit të Kosovës lidhet me shtetet fqinje përmes tetë linjave ndërkufitare./Katror.info