Gjenerali në pension, Kadri Kastrati, ka deklaruar se nuk pritet që Shtetet e Bashkuara të largojnë trupat amerikane të KFOR-it nga Kosova, pavarësisht zhvillimeve politike në SHBA.
Sipas tij, Kosova mbetet një pikë kyçe në interesat gjeopolitike të Uashingtonit, veçanërisht në raport me ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, shkruan Katror.info.
“Kjo është vetëm një supozim se do të hiqen trupat amerikane, sepse presidenti apo administrata Trump nuk ka thënë se do t’i largojë të gjitha forcat, por do ta reduktojë numrin e trupave amerikane në Evropë. Duke pasur parasysh që Ballkani Perëndimor është në vijë me interesat gjeopolitike të SHBA-së dhe qëllimi i tyre është që Rusia të mos dominojë në këtë pjesë të Evropës, kështu që Bondsteel dhe Kosova do të jenë edhe më tutje interes i SHBA-së dhe nuk do t’i tërheqin trupat nga Kosova”, ka thënë Kastrati për RTV21.
Zërat për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë janë shtuar, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe rikthimit të Donald Trump në qendër të politikës amerikane./Katror.info