Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 21 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve në vitin 2012, për ta festuar dhe rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve në botë.
Shtetet anë e mbanë botës inkurajohen të ndërmarrin përpjekje lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare për të organizuar aktivitete që përfshijnë pyje dhe pemët, të tilla si fushatat e mbjelljes së pemëve dhe ruajtja e tyre.
Ndërkaq në Kosovë Dita Ndërkombëtare e Pyjeve u shënua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) në bashkëpunim me FAO-n, në Parkun e Blinajës me temën “Pyjet dhe Inovacioni: Zgjidhje e re për një botë më të mirë”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, në prezencë të ministrit Faton Peci, u bë prezantimi dhe demonstrimi i teknologjisë inovative që posedon Agjencioni i Pyjeve të Kosovës, në planifikimin dhe monitorimin e shfrytëzimit të pyjeve, analiza dhe vlerësimin e sipërfaqeve të caktuara pyjore dhe aktivitetet e përditshme në sektorin e pylltarisë.
Demonstrimi praktik përfshiu përdorimin e dronëve, GPS si dhe kamerave kurth./Katror.info