Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka pritur në takim Shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko, me ç’rast janë diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe është bërë dorëzimi i një donacioni prej 350 testesh për detektimin e substancave narkotike, shkruan Katror.info.
Testet, të cilat do të përdoren për forcimin e kontrolleve të brendshme dhe parandalimin e keqpërdorimeve brenda institucioneve korrektuese, u dorëzuan nga përfaqësuesja e EULEX-it gjatë takimit të mbajtur në ambientet e SHKK-së.
Drejtori Dibrani falënderoi EULEX-in për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se donacioni do të ndikojë në avancimin e standardeve të sigurisë dhe profesionalizmit në sistemin korrektues të vendit. Ai njoftoi gjithashtu për disa nga të arriturat e fundit të SHKK-së, përfshirë trajnimin profesional të stafit, përmirësimin e infrastrukturës nëpër qendrat korrektuese, si dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare në trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve.
“Në fund të takimit, të dy palët u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit me fokus në projekte konkrete që synojnë fuqizimin institucional dhe garantimin e një ambienti të sigurt dhe rehabilitues në të gjitha institucionet korrektuese në vend,” thuhet në njoftimin e SHKK. /Katror.info
SHKK pranon donacion prej 350 testesh të drogës nga EULEX Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës…
Posted by Shërbimi Korrektues i Kosovës on Friday, May 2, 2025