Në shikim të parë, ngjan me një autoservis të zakonshëm, por në fakt është kabineti automekanik i shkollës teknike “Skënder Luarasi” në Suharekë, që ka transformuar arsimin profesional në Suharekë.
Me donacione mbi 700 mijë euro, kabinete moderne dhe programe praktike, 80-90% e nxënësve punësohen menjëherë pas shkollimit.
Prej 20 vitesh në funksion, shkolla dikur përballej me mungesë nxënësish, ndërsa tani është një institucion shumë i kërkuar, me afro 700 nxënës të regjistruar.
Arritjet e saj janë rezultat i përkushtimit të drejtorit dhe stafit mësimdhënës, të cilët kanë sjellë donacione në pajisje në vlerë prej qindra mija eurosh, pa mbështetje direkte institucionale.

“Vërtetë është shifër e madhe, po nëse i referohemi një vlere, lirisht mund të them që donacionet pa prek buxhet të Komunës dhe të shtetit dikund e kalojnë vlerën 700 mijë euro. Nuk janë ato mjete para, po janë donacione kryesisht pajisje, domethënë kalojmë në vlerën diku 700 mijë euro, e që për neve sinqerisht janë shumë domethënëse, sepse mendoj që këtu tashmë nuk mësohen gjërat (teorikisht), por preken gjërat, pastaj mësohen”, u shpreh Bytyqi.
Shkolla është e pajisur me kabinete të specializuara si: Teknologjia e Informacionit, Mekanika, Elektronika, Mekatronika, Instalimi i Ngrohjes, Instalimet Elektrike, Rrobaqepësia dhe Dizajni, Saldimi, etj.
Këto ambiente mundësojnë zhvillimin e aftësive praktike dhe kalimin nga teoria në praktikë. Kjo qasje ka ndikuar edhe në thyerjen e paragjykimeve për shkollat teknike në Kosovë, duke promovuar barazinë gjinore. Sot, rreth 40% e nxënësve janë vajza, kryesisht në fushat e dizajnit, rrobaqepësisë, arkitekturës dhe IT-së.
“Mësojnë se si bëhet qepja, si bëhet prerja, e mësojnë traditën e punës dhe janë të gatshme për treg. Normal, këtu në momentin që e kryejnë shkollën, klasën e 12-të, këto janë të gatshme për me dalë në treg edhe për me u punësu nëpër atelie të ndryshme, sepse janë të përgatitura”, tha profesoresha e kësaj lënde, Dafina Isufi.
Nxënësit jo vetëm që aftësohen, por sigurojnë edhe të ardhura për shpenzimet e tyre shkollore.
“Ne me kompani, me biznese kemi kontakt shpesh, ata vijnë këtu dhe ne shkojmë, sidomos me klasat e 12-ta, ku ata kanë dy ditë praktikë në javë edhe bëjmë marrëveshje paraprakisht mes biznesit, familjes ose prindit dhe shkollës. Kemi një marrëveshje, një kontratë bashkëpunimi që tash po realizohet edhe pak më mirë se vitet e kaluara, për shkak që ka edhe një pages.
që u bëhet nxënësve, diku minimumi po themi në bazë të marrëveshjes, po minimumi është tetë euro dita, sepse ata janë afër 18 vjet dhe mbërrijnë me kry detyra, jo ndoshta shumë të rënda, të lehta, mirëpo e kryejnë detyrën e kompanisë”, u shpreh profesori, Salih Bytyqi.
Një shembull konkret i punës që bëhet në këtë shkollë është edhe kjo hapësirë pune automekanike, ku nxënësit kryejnë shërbime të ndryshme falas për qytetarët.
“Momentalisht nxënësit janë duke punu domethanë me ndërrimin e gomave të verës në dimër, siç është edhe koha prej 15 nëntorit që parashihet me ligj në vendin tonë. Gjithashtu, i kemi një pajisje për balancimin e gomave, kemi pajisje për diagnostikimin e automjeteve, kemi pajisje për sistemin e AVS-it kemi edhe pajisje e vegla të ndryshme pune që i përdorim çdo ditë për ndërrime të filterave të servisave kështu me radhë”, tha profesori, Zgjim Bajraktari.
Ajo që e bën të veçantë këtë shkollë është punësimi i menjëhershëm pas përfundimit të shkollës.
“Gjithashtu, edhe pas përfundimit të klasës së 12-të, pothuajse diku një 80 -90% të nxënësve, janë të punësuar, me rroga dhe janë punëtorë nëpër servise private, disa prej tyre edhe i kanë hapur edhe të vetat”, shtoi Bajraktari.
Ky grup i nxënësve në anën tjetër po mësojnë punën e saldimit me një mjet të rrallë pune në Kosovë, vlera e të cilës kalon mbi 38 mijë dollarë, me të cilën nxënësit kryejnë rreth 70 lloje saldimi.
“Kohët e fundit na kanë ndihmu këto pajisje teknologjike virtuale, përshembull që na kanë sjellë Alled2. Edhe tash jo vetëm landë profesionale, po edhe landë të përgjithshme mësohen me këto pajisje, që edhe për mësimdhënës normal është më e lehtë, por edhe për nxënës është më e lehtë mësimnxënia, por njëkohësisht edhe më atraktive procesi mësimor”, u shpreh drejtori.

Gjatë viteve 2020-2021, nxënësit e kësaj shkolle, në bashkëpunim me Komunën, dekoruan qytetin për festat e fundvitit, duke kursyer mijëra euro.
“Komuna ka blejë materialin shpenzues, gjithë materialin e ka blerë ndërsa gjithë punët tjera janë kryer nëpërmes nxënësve është ba dekorimi i qytetit.
Jo vetëm kaq, shkolla po kursen buxhet edhe për nevojat e brendshme. Sistemi i kamerave, zërimi dhe instalime të tjera janë realizuar nga vetë nxënësit, duke kontribuar në formimin e tyre profesional.
Shkolla ka rreth 40 memorandume bashkëpunimi me kompani të ndryshme. Ndër donacionet kryesore është ai i Johana Schwab Erika, që përfshin panele solare me kapacitet 10 kW, ndërrimin e çatisë, një mini-teatër funksional dhe rregullimin e jashtëm të shkollës.
Me ndihmën e profesorëve, shkolla ka krijuar një qendër për orientim në karrierë, që përgatit nxënësit për përzgjedhjen e studimeve të mëtejshme dhe tregun e punës.
“Për momentin gati pothuajse njëra prej zyreve më të rëndësishme në shkollë, ku po ju ndihmon nxënësve që të gjejnë veten, të orientohen në karrierë, edhe ne si këshillëtare të karrierës kemi shumë detyra dhe obligime ndaj nxënësve, ku cdo aktivitet i shkollës mbahet përmes neve, me dëshirën e nxënësve normal. Disa nxënese të rrobaqepësisë përshembull, janë edhe nx ënëset e mia, kanë paga mujore 500 euro”, tha Zana Demiri, profesoreshë e Dizajnit dhe Qendrës për Orentim në Karrierë.
Kjo shkollë ka kaluar kufijtë e një institucioni tradicional, duke kontribuar në një mjedis të gjelbër dhe të qëndrueshëm. Ndërsa, transformimi i saj në atë që sot po njihet si shkolla e donacioneve, ka nisur disi si rastësisht.
Ka qenë ditë e para kur meqë mora detyrën edhe ishim me një projekt të realizimit të ndërtimit të disa dyerve kështu të jashtme, me disa nxënës e kryenim saldimin, edhe e patëm një vizitë të delegacionit të rastësishëm të LuxDev (Luxembourg – Aid & Development), e aty ka fillu. Ata e panë që vërtet në kemi vullnet të bëjmë gjëra të mira, kemi vullnet të punojmë me nxënës, kemi vullnet t’i joshim nxënësit për mësim atraktiv dhe aty ka fillu pastaj bashkëpunimin me “LuxDev”, kemi pasë një memorandum bashkëpunimi që kemi nënshkru me ta edhe do të thotë nuk janë ndalë më donacionet asnjëherë.”
Shkolla teknike “Skënder Luarasi” në Suharekë është një model i suksesit në arsimin praktik, me infrastrukturë moderne, staf të përkushtuar dhe mbështetje nga donatorët. Me një përqindje të lartë punësimi dhe projekte që promovojnë qëndrueshmërinë, shkolla është shembull i transformimit arsimor në Kosovë. /Katror.info
Ediconin e #70 të plotë e gjeni këtu!
Përgatiti:
