Në shkollën SHFMU “Azem Bejta” në Klinë dhe në SHFMU “Halil Bajraktari” në Drenas, janë dhuruar nga një kopsht botanik për nxënësit.
Këto hapësira të reja edukative do t’u shërbejnë fëmijëve për të mësuar më shumë rreth botës së bimëve, kujdesit për to, si dhe mënyrave praktike për krijimin e produkteve bio nga bimët aromatike dhe mjekësore që do të kultivohen aty.
Ideja për këtë iniciativë lindi pas vizitës së vitit të kaluar me fëmijët e grupit ECA në shkollën III. gimnazija Maribor në Slloveni, ku u prezantuan kopshtet botanike dhe produktet e shumta që nxënësit sllovenë kishin krijuar nga bimët.
Ky projekt është realizuar në kuadër të nismës “Qëndrueshmëria Mjedisore me Fëmijët”, të cilin e zbaton EcoZ në partneritet me Save the Children Kosova/o, ndërsa financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (Sida Sweden)./Katror.info