Në kuadër të edicionit të sivjetmë të DokuFest-it, ka nisur zyrtarisht Short Film Forum, një platformë e dedikuar për mbështetjen dhe fuqizimin e kineastëve të rinj. Forumi do të zhvillohet nga 4 deri më 6 gusht në Shkollën e Muzikës në Prizren, shkruan Katror.info.
Programi përfshin punëtori, mentorim, sesione prezantimi (pitching), rrjetëzim profesional dhe ekspozim në industrinë e filmit, duke u krijuar pjesëmarrësve mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve të tyre të shkurtër filmike.
Short Film Forum realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri.
Me këtë forum, DokuFest thekson edhe një herë angazhimin e tij për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj në fushën e filmit./Katror.info