Mirë se vini në një epokë të re, pasi megaylli amerikan Taylor Swift publikoi albumin shumë të pritur “The Life of a Showgirl”, një album padyshim pop që vjen për të fejuarin e saj, lojtarin e futbollit amerikan Travis Kelce.
Falë një strategjie mjeshtërore marketingu, fansat e këngëtares, “Swifties”, nuk kishin dëgjuar ende asnjë notë të albumit XII të idhullit të tyre.
Për të shuar kuriozitetin e tyre, ata u detyruan të kënaqeshin me një ngjyrë portokalli të shndritshme që ishte e pranishme kudo gjatë gjithë promovimit, një seri fotosh të artistes me veshjen e një balerineje kabareje dhe fragmente tekstesh këngësh të lëshuara gjatë fazës së fundit.
Falë diferencës së kohës, fansat e këngëtares të mbledhur në një teatër në Melburn, Australi, ishin ndër të parët që dëgjuan idhullin e tyre të performonte.
Publiku entuziast, kryesisht femra dhe shpesh të veshura me portokalli, i dha një mirëseardhje triumfale albumit të ri të Taylor Swift.
“Sonte, të gjitha këto jetë bashkohen këtu, mozaikët e të qeshurave dhe koktejet e lotëve… Nuk mund t’ju them sa krenare jam që e ndaj këtë album me ju”, postoi më parë ylli 35-vjeçar në median sociale.
E ftuar në një emision të njohur të BBC Radio 1, ylli zbuloi se i fejuari i saj, lojtari i futbollit amerikan Travis Kelce, ishte i pari që dëgjoi albumin e saj.
“Ai është inkurajues”, tha ajo, përpara se të shtonte se “e dija që ky ishte lloji i albumit që ai do ta donte më shumë”.
Pas katër albumeve folk dhe introspektive, “The Life of a Showgirl” ofron – siç u premtua – këngë me tinguj të viteve ’80, duke filluar me këngën “The Fate of Ophelia”./ atsh/Katror.info