Është shpallur tenderi për realizimin e projektit “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”, Loti 1 – Impianti i Ngrohjes Qendrore. Ky projekt ka për qëllim ofrimin e shërbimit të ngrohjes për 32,000 qytetarë të Prishtinës, në pesë lagje të kryeqytetit: Tophane, Prishtina e Vjetër, Lakrishte, Kalabria dhe Mahalla e Muhaxherëve, njofton Termokos, përcjell Katror.info.
“Solar4Kosovo është projekt që renditet si i vetmi i këtij lloji në Ballkan dhe i dyti më i madhi në Evropë për nga madhësia. Projekti parashikon prodhimin e energjisë së pastër termike me një kapacitet prej 50 MW, përmes paneleve solare termike me sipërfaqe prej 63,000 m² dhe një rezervuari për akumulimin e ujit të ngrohtë me kapacitet prej 380,000 m³”, thuhet në njoftimin e Termokos.
Një prej objektivave kryesore të këtij projekti është përfitimi mjedisor, me kursime të mëdha të CO₂, deri në 44,000 ton në vit. Ky zhvillim ka për qëllim të kontribuojë në pozicionimin e Prishtinës në hartën globale të qyteteve të gjelbra.
Pjesë e projektit është edhe parakualifikimi për blerjen e një impianti solar të ngrohjes qendrore, që përfshin një rezervuar sezonal për ruajtjen e energjisë termike të ujit (PTES) dhe një fushë kolektorësh termikë diellorë (SCF)./Katror.info