Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka përfunduar shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor, përfshirë edhe fletëvotimet që do të përdoren në këtë proces.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se materiali zgjedhor është dërguar në të gjitha komunat e vendit dhe është vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit, nga ku do të shpërndahet në Qendrat e Votimit të dielën në mëngjes.
“Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë materialin zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, të cilat do të përdoren në procesin e votimit më 12 tetor. Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendra të Votimit”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime – nga 1.8 milionë për secilin lloj të zgjedhjeve. Elezi ka bërë të ditur se ky numër përfshin të gjitha format e votimit: votimin në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe fletëvotimet rezervë, raportoi EO.
Vendvotimet pritet të hapen në orën 07:00 dhe të mbyllen në orën 19:00 në gjithsej 2.625 vendvotime në të gjithë territorin e vendit.
Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kandidatin e për komunën e tyre, si dhe për një asamblist të kuvendit përkatës komunal.
Sipas KQZ-së më 12 tetor, do të hapen 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Në Zgjedhjet Lokale votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi. Në bazë të listës votuese, në nivel vendi do të votojnë 2.025.105 qytetarë, ndërsa 43.993 votues jashtë Kosovës janë regjistruar për të shfrytëzuar të drejtën përmes postës./EO/Katror.info