Mjekja shqiptare Dr. Shqipdona Lahu është fituese e Çmimit “Dimitris N. Chorafas” 2025, një ndër vlerësimet më prestigjioze ndërkombëtare për kërkime shkencore në fushat e mjekësisë, inxhinierisë dhe shkencave natyrore.
Ky çmim, i themeluar nga Fondacioni Dimitris N. Chorafas pranë Weizmann Institute of Science, ndahet që nga viti 1992 për disertacione që dallohen për cilësi të lartë shkencore dhe potencial të madh praktik. Universitetet partnere në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi nominojnë çdo vit punimet më të mira për këtë vlerësim.
Dr. Lahu, e cila aktualisht është asistente në Klinikën për Sëmundje të Zemrës dhe Qarkullimit të Gjakut në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM), u propozua nga ky universitet dhe u shpërblye për disertacionin e saj me titull “Aspekte të reja të terapisë antitrombocitare te pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjes koronare perkutanë”, të zhvilluar nën udhëheqjen e Prof. Dr. Adnan Kastratit.
Në punimin e saj, Dr. Lahu synon të përmirësojë trajtimin me barna antitrombocitare pas ndërhyrjeve koronare, duke vënë theksin te strategjitë e personalizuara të trajtimit. Hulumtimi i saj ka identifikuar grupe specifike pacientësh që përfitojnë më shumë nga terapia me barna të fuqishme antitrombocitare, si dhe ata që kanë rrezik të shtuar për gjakderdhje.
Ndër kontributet më të rëndësishme të këtij studimi është analiza për herë të parë e një biomarkeri specifik që ndihmon në vlerësimin e rrezikut të gjakderdhjes te pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjes koronare perkutanë (PCI).
Ky çmim përbën një tjetër sukses të shkencëtares shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar kontributin e rëndësishëm të studiuesve shqiptarë në zhvillimin e mjekësisë moderne./Katror.info










