Shqipëria dhe Belgjika kanë vënë në funksion një platformë të përbashkët digjitale për menaxhimin në kohë reale të rasteve të emigracionit të paligjshëm, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin dypalësh institucional.
Sistemi elektronik, i pari i këtij lloji në Evrope, lejon shkëmbimin e strukturuar të të dhënave dhe përpunimin e rasteve në kohë reale, duke përmirësuar koordinimin ndërinstitucional dhe efikasitetin e procedurave për trajtimin dhe rikthimin e emigrantëve që kanë lëvizur në mënyrë të paligjshme.
Agjencia për Media dhe Informim njoftoi se përfitimet kryesore të platformës përfshijnë procedura më të shpejta, ulje të barrës administrative, transparencë më të lartë dhe standardizim të proceseve. Sistemi synon gjithashtu të rrisë nivelin e bashkëpunimit institucional dhe të pozicionojë Shqipërinë ndër vendet e para në Evrope që përdor një qasje të integruar elektronike në këtë fushë.
Zbatimi i platformës digjitale pritet të rrisë efikasitetin e rikthimeve dhe të përmirësojë koordinimin ndërkombëtar në menaxhimin e migracionit të paligjshëm, duke ofruar një model të avancuar për vendet e tjera të rajonit./RTSH/










