Tirana mirëpret sot dhe nesër (9-10 tetor) një prej aktiviteteve më të rëndësishme të nivelit të lartë që trajton sfidat dhe strategjitë në fushën e mbrojtjes kibernetike në nivel global, Konferencën e tretë të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s.
Ky aktivitet do të sjellë në Shqipëri drejtues politikë, ekspertë të lartë, përfaqësues të industrisë dhe institucioneve të sigurisë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët e saj. Po ashtu, në konferencë do të jenë pjesë delegacione zyrtare të vendeve anëtare të NATO, ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike, përfaqësues të industrisë së teknologjisë dhe organizatave ndërkombëtare partnere.
Konferenca do të hapet me fjalën përshëndetëse nga kryeministri Edi Rama, drejtori i Përgjithshëm i AKSK, një videomesazh nga sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte dhe përfaqësues të lartë të Divizionit të Transformimit Digjital të NATO-s.
Ndër çështjet kryesore që do të trajtohen në këtë konferencë janë: strategjitë për forcimin e mbrojtjes kibernetike të NATO, investimi strategjik dhe llogaridhënia në mbrojtjen kibernetike, kërcënimet gjeopolitike në hapësirën digjitale, roli i sektorit privat në rritjen e rezistencës kibernetike apo bashkëpunimi rajonal dhe ndërinstitucional./RTSH/Katror.info