Shqiptarët anëmbanë botës sot festojnë 28 nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për popullin shqiptar, janë paraparë të zhvillohen në sërë aktivitetesh në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se dita e sotme nis me homazhe te busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe përfundon me pritjen e kryeministrit Albin Kurti, e cila është paraparë të mbahet në orën 19:00. Për nder të 28 nëntorit, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës mbrëmë mori ngjyrat e flamurit kombëtar.

Përveç Qeverisë së Kosovës, aktivitete të ndryshme ka organizuar edhe Komuna e Prishtinës. Aktivitetet e organizuara nga Komuna e Prishtinës nisin në orën 11:00 me përurimin e shtatores së Prof. Anton Çettës dhe përfundojnë në orën 19:00 me koncertin për 35 vjetorin e tifozërisë së kryeqytetit, Plisat me “Besa Besë”.

Dita e 28 nëntorit e emërtuar si Festa e Flamurit është një nga më të veçantat për shqiptarët në krejt botën, për arsye të shumta, ndër vite e shekuj.
Shënon kthimin e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut në Krujë, para plot 574 vjetësh, për të ngritur shqipen dykrenëshe dhe çliruar shqiptarët për 25 vjet nga sundimi osman.
Ngjarja tjetër e madhe që pason këtë datë, është ndoshta më me peshë për shqiptarët, pasi aty i gjejmë fillet e një kombi që hyn ndruajtshëm, por i mëvetësuar, në shekullin e njëzetë.
Më 28 nëntor të vitit 1912 Kuvendi Kombëtar i Vlorës, pjesë e të cilit ishin liderët shqiptarë të gati të gjitha krahinave, shpalli Shqipërinë shtet më vete, pas së cilit akt Ismail Qemali, kryetar i tij, ngriti flamurin kuqezi./Katror.info