Në kohën kur vendet po debatojnë për ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për nën 16-vjeçarët, organizatat e fëmijëve dhe kompanitë e teknologjisë po sugjerojnë alternativa për të siguruar mbrojtje pa i privuar të rinjtë nga aplikacionet që përdorin, shkruan Euro News, transmeton Katror.info
Në vend të një ndalimi total, prindërit mund të ndërmarrin hapa praktikë për të mbajtur fëmijët të sigurt online, nga kontrolli prindëror deri te rutinat pa teknologji dhe njohja e mënyrës si funksionon inteligjenca artificiale (AI).
Vendosni rutina pa teknologji
Shumica e platformave të mëdha, si Instagram, TikTok dhe YouTube, ofrojnë tashmë kontrolle prindërore për të menaxhuar kohën e shpenzuar online.
Në TikTok, prindërit mund të vendosin limite ditore për përdorimin, ndërsa YouTube lejon programimin e njoftimeve si “pauzë” ose “ora e gjumit”. Megjithatë, Komisioni Evropian paralajmëron se këto funksione vetë nuk janë të mjaftueshme për të kufizuar efektivisht kohën online të fëmijëve.
Organizata britanike “Save the Children” sugjeron që prindërit të shkojnë një hap më tej, duke ndihmuar fëmijët të ndërtojnë vetë-rregullim për përdorimin e teknologjisë, përmes “rutina të qëndrueshme”.
Sipas organizatës, prindërit duhet të vendosin momente pa teknologji, si darka pa telefon ose kohë jashtë shtëpisë, pasi kjo ndihmon në uljen e stresit dhe shqetësimeve të gjumit tek adoleshentët.
UNICEF rekomandon gjithashtu që prindërit të rishikojnë cilësimet e privatësisë në pajisjet dhe llogaritë e fëmijëve, për të minimizuar mbledhjen e të dhënave.
Modelimi i sjelljes pozitive online është po aq i rëndësishëm, në mënyrë që fëmijët të mësojnë si të komunikojnë respektueshëm dhe të shmangin përmbajtje të dëmshme, shton organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijët.
Mësoni rreth inteligjencës artificiale (AI)
Prindërit duhet t’u shpjegojnë fëmijëve se si funksionojnë algoritmet, si të njohin keqinformimin dhe si përmbajtja është e dizajnuar për të kapur vëmendjen, thotë “Save the Children”.
OpenAI, kompania pas ChatGPT, sugjeron që fëmijët të mësohen ta përdorin AI-në si partner, jo si zëvendësues të ideve dhe përvojave të tyre.
“AI është e shkëlqyer për të gjeneruar ide… por nuk ka përvojën tuaj të jetës, marrëdhëniet apo kontekstin e plotë,” theksohet në një nga udhëzimet e kompanisë.
Adoleshentët duhet të verifikojnë faktet e prodhuara nga AI, duke krahasuar përgjigjet e ChatGPT me burime të besueshme, shton OpenAI. Gjithashtu, duhet të mësohen të mendojnë për burimet që AI përdor në përgjigjet e saj.
Organizata britanike NSPCC sugjeron që prindërit të eksplorojnë aplikacionet dhe faqet që përdorin fëmijët për të identifikuar ku shfaqet përmbajtja e gjeneruar nga AI.
Mësoni fëmijët të njohin përmbajtjen e dëmshme
Fëmijët duhet të dinë si duket përmbajtja e dëmshme dhe si të reagojnë nëse hasin të tillë, thotë “Save the Children”.
Rreziqet online për të rinjtë përfshijnë kontaktet e padëshiruara nga të huajt, ekspozimin ndaj materialeve të papërshtatshme, presionin për një imazh të shtrembëruar të trupit dhe varësinë nga “like”-t, paralajmëron NSPCC.
Kjo organizatë rekomandon që të rinjtë të mësohen të përdorin mjetet e bllokimit dhe raportimit, dhe të inkurajohen të flasin me një të rritur të besueshëm kur hasin diçka të dëmshme.
Për të mbështetur komunikimin e hapur, prindërit duhet të bëjnë kontrollime të rregullta dhe joformale për përvojat digjitale të fëmijëve, edhe nëse ata nuk nisin vetë bisedën.
NSPCC sugjeron pyetje të thjeshta si: “A ke parë diçka online që të ka shqetësuar?” ose “Me kë bisedon online?” për të ndihmuar fëmijët të ndihen të mbështetur.
Burimi: Euro News
Përktheu dhe përshtati: Katror.info















