Kërkime të reja kanë zbuluar se ndryshimi i shkurtër i mënyrës se si e perceptojmë trupin tonë mund të ndihmojë në “çlirimin” e kujtimeve autobiografike – madje edhe atyre nga fazat më të hershme të fëmijërisë.
Studimi, i botuar në revistën Nature, është i pari që zbulon se të rriturit mund të rikujtojnë më mirë kujtimet e hershme pas përjetimit të një versioni të fëmijërisë së fytyrës së tyre.
I udhëhequr nga neuroshkencëtarë në Universitetin Anglia Ruskin (ARU) në Cambridge, studimi me 50 pjesëmarrës të rritur përfshiu një “iluzion përfshirjeje të fytyrës” i cili u mundëson njerëzve të ndiejnë se fytyra që shohin në ekran është e tyre, sikur të shikonin në pasqyrë.
Pjesëmarrësit panë një video live të fytyrës së tyre, e modifikuar në mënyrë digjitale për të ngjarë me pamjen e tyre si fëmijë. Ndërsa lëviznin kokën, fytyra në ekran pasqyronte çdo lëvizje, duke krijuar ndjesinë e fortë se ajo fytyrë e fëmijërisë ishte e tyrja. Grupi kontrollues pa vetëm fytyrën e tyre aktuale, pa modifikime.
Pas këtij përjetimi, pjesëmarrësit iu nënshtruan një interviste për kujtesën autobiografike, ku u kërkua të kujtonin ngjarje nga fëmijëria dhe nga viti i fundit.
Studiuesit matën sasinë e detajeve që pjesëmarrësit jepnin gjatë rrëfimit të kujtimeve episodike autobiografike – ato kujtime që na lejojnë të “udhëtojmë në kohë” në mendje dhe të përjetojmë sërish ngjarje të së kaluarës.
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit që panë versionin fëmijëror të fytyrës së tyre kujtuan më shumë kujtime nga fëmijëria sesa ata që panë fytyrën e tyre të rritur. Ky është studimi i parë që tregon se ndryshimet në perceptimin e trupit mund të ndikojnë në qasjen ndaj kujtimeve të largëta.
Sipas studiuesve, këto gjetje ofrojnë njohuri të reja për mënyrën se si perceptimi i trupit ndërvepron me kujtesën dhe mund të hapin rrugë për teknika të reja që ndihmojnë në rikujtimin e kujtimeve të humbura, përfshirë ato nga periudha e “amnezisë së fëmijërisë” – që zakonisht përfshin vitet para moshës trevjeçare.
Utkarsh Gupta, autori kryesor i studimit, i cili e kreu këtë kërkim gjatë doktoraturës së tij në ARU dhe tani është studiues në Universitetin e Dakotës së Veriut, tha:
“Të gjitha ngjarjet që i kujtojmë nuk janë vetëm përvoja të botës së jashtme, por edhe të trupit tonë, i cili është gjithmonë i pranishëm. Zbuluam se ndryshimet e përkohshme të perceptimit të trupit – konkretisht përjetimi i një versioni fëmijëror të fytyrës sonë – mund të përmirësojnë ndjeshëm qasjen në kujtimet e fëmijërisë”.
“Kur janë formuar kujtimet e fëmijërisë sonë, kemi pasur një trup ndryshe. Kështu që u pyetëm: nëse do t’u mundësonim njerëzve të përjetojnë disa aspekte të atij trupi përsëri, a do t’i ndihmonte kjo t’i rikujtonin më lehtë kujtimet nga ajo periudhë?”, shpjegoi profesorja Jane Aspell, bashkautore dhe drejtuese e laboratorit Self & Body Lab në Universitetin Anglia Ruskin.
Sipas saj, këto rezultate janë “jashtëzakonisht emocionuese” dhe hapin mundësi që në të ardhmen të përdoren iluzione më të avancuara trupore për të ‘zbllokuar’ kujtime nga faza të ndryshme të jetës, ndoshta edhe nga fëmijëria e hershme. Ajo shtoi se kjo qasje mund të zhvillohet si ndërhyrje për personat me çrregullime të kujtesës. /AP/Katror.info