Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kërkuar që paga më e ulët brenda Korporatës Energjetike të Kosovës të jetë 1000 euro, duke thënë se do të organizojnë protesta e greva deri në realizimin e kërkesave.
Sipas Llumnicës, punëtorët e KEK-ut përballen me rrezikshmëri të madhe në vendin e punës dhe kushte të rënda pune. Ai ka shtuar se punëtorët e KEK-ut janë më të rrezikuarit në Evropë.

“Kërkojmë që të paguhet rrezikshmëria që është me Ligjin e punës. E kemi shtruar kërkesën, por thonë se s’po mund ta bëjnë vlerësimin e rrezikshmërisë. Dyshoj se ka keqpërdorim të detyrës zyrtare nga menaxhmenti. Ka punëtor që vijnë e punësohen, por nëse nuk ua bën standardin ikën prapë”, është shprehur Llumnica në “Interaktiv” të KTV-së.
Kreu i Sindikatës së KEK-ut ka theksuar tutje se rritja e pagës duhet të bazohet me rritjen e çmimeve në Kosovë.
Punëtoret e Sindikatës së KEK-ut protestuan të enjten (24 tetor 2024) para KEK-ut duke kërkuar rritjen e pagave dhe pagesën e rrezikshmërisë.
Protesta e punëtorëve të KEK-ut u mbështet edhe nga Sindikata e Trepçës, Policisë, Shëndetësisë, Parking Prishtina dhe Sindikata e Administratës së Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha së kërkesat e tyre për ngritjen e pagave kanë qenë nga viti 2011 kur është fuqizuar ligji i pagave./Katror.info