Skender Sherifi, një përkthyes, gazetar, shkrimtar, profesor dhe një intelektual i njohur jo vetëm në Kosovë dhe hapësirat shqiptare, por anekënd botës, ka qëndruar sot në Viti.
Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Sherifi iu bëri thirrje të gjithë krijuesve, artistëve e personaliteteve të ruajnë identitetin e kulturën shqiptare. Ai tha se jetën në vendlindjen e tij, Beguncë të Vitisë nuk e mban mend meqë si 1 vjeçar familja e tij kishte emigruar në Belgjikë.
“Por mbaj mend fjalët e nënës sime që më ka rrëfyer për Beguncën dhe Vitinë. Jam i lidhur shumë me Kosovën, me Shqipërinë, sepse ka qenë amanet i babit tim që ta ruajë shqiptarizmin. Gjithmonë e ku do që jam paraqitur, jam prezantuar si shqiptar, duke ruajtur bazamentin e kulturës sonë të pasur kombëtare shqiptare”, ka theksuar Sherifi, i cili është I vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare për kontributin e tij në letërsi.
Ai gjithashtu përmendi faktin tjetër, siç e quajti, amanetin e dytë që i la ish presidenti I Kosovës Ibrahim Rugova, që veprat e tij të jenë thesar i letërsisë shqiptare në Shqipëri e Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarët.
Me këtë rast ai i dhuroi një numër të konsiderueshëm ekzemplarësh të veprave tij, Bibliotekës së Qytetit të Vitisë.
Në takimin mikpritës, kryetari Haliti u shpreh se është shumë i nderuar që të jetë nikoqir për të mirëpritur një personalitet të njohur, Skënder Sherifin.
“Kjo vizita e sotme është e rëndësisë së veçantë, për shumë arsye. Skënder Sherifi është këtu për ta vizituar Vitinë sepse ka lindur këtu. Konkretisht në fshatin Beguncë në vitin 1954 dhe familja e tij kanë jetuar për afër dy vite në komunën tonë, për shkak se kanë qenë të përndjekur nga regjimi i atëhershëm komunist në Shqipëri, meqenëse babai i tij Shpend Sherifi ishte oficer i Mbretit Zog dhe ishte me origjinë nga Tropoja, ndërkohë që ka qenë i burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës para se të lindej Skënderi, diku në vitin 1946-1951”, tha Haliti.
Më pas ai i bëri një përshkrim biografik të Skënder Sherifit, në veprimtarinë e tij jetësore dhe krijimtarisë letrare, në botimin e shumë veprave të përkthyera edhe në shumë gjuhë botërore.
Për krijimtarinë letrare e publicistike të Skënder Sherifit, foli edhe prof.dr. Isak Shema, i cili tha se krijimtaria e Skënderit, filloi në vitin 1970 dhe është zhvilluar në 3 etapa, si dhe karakteristikë e tij është poezia moderne.
Me këtë rast, kryetari Haliti e nderoi me një mirënjohje Sherifin për angazhimin e tij krijues që dha një kontribut të veçantë me përkthimet e tija nga gjuha frënge ne shqipe dhe anasjelltas, në njohjen dhe afirmimin e krijimtarisë së shqiptarëve të Kosovës në qarqet frankofone. Gjithashtu, Haliti premtoi se vitin e ardhshëm, në kuadër të 70 vjetorit të lindjes së Skënder Sherifit, të mbahet një promovim i veprave dhe krijimtarisë jetësore, organizim ky që do të bëhet së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti./Katror.info