Sopranoja e suksesshme Elbenita Kajtazi sonte do të ngjitet në skenën e Operës Shtetërore të Vjenës, ëndërr e kamotshme e sopranos që të prekë edhe këtë skenë shumë të rëndësishme për karrierën e saj.
“Operën e Vjenës e ëndërron çdo artist lirik, dhe natyrisht që është një arritje e cila vulos punën shumëvjeçare që i kam kushtuar profesionit tim.
Uroj që ngjitja ime në këtë skenë si shqiptarja e parë nga Kosova t’u hapë rrugë edhe shumë artistëve të tjerë që punojnë me shumë përkushtim në realizimin e ëndërrave të tyre”, njoftoi para disa ditësh sopranoja Kajtazi.
Sopranoja Kajtazi do të prezantohet me rolin e Mimit të shfaqjes operistike “La Boheme” të Pucinit, e cila për partner skenik ka edhe tenorin e suksesshëm shqiptar Saimir Pirgu, i cili vjen me rolin e Rodolfos.
Premiera e kësaj shfaqje do të prezantohet sonte, përderisa janë të rezervuara edhe reprizat për 31 tetor, sikurse edhe një reprizë për 2 nëntor./Katror.info