Ambasada e Francës dhe Instituti Francez njoftojnë se sonte, në orën 19:00, në teatrin ODA, do të hapet edicioni i 25-të i Javës së Frankofonisë, një ngjarje tradicionale që promovon gjuhën dhe kulturën franceze në Kosovë.
Pas hapjes në Prishtinë, duke filluar nga 22 marsi, aktivitetet do të zhvendosen në Gjakovë, e cila është shpallur Kryeqendra e Frankofonisë për vitin 2025. Programi i këtij edicioni përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh kulturore dhe edukative, si koncerte, filma, teatër, vallëzim dhe punëtori, duke ofruar një atmosferë të pasur për të gjithë të interesuarit.
Kjo javë organizohet në bashkëpunim me ambasadat e vendeve frankofone, përfshirë Zvicrën dhe Belgjikën, si dhe me mbështetjen e Komunës së Gjakovës. Ambasada e Francës dhe Instituti Francez ftojnë qytetarët të bëhen pjesë e këtij edicioni të veçantë, i cili synon të thellojë lidhjet kulturore dhe të promovojë diversitetin e komunitetit frankofon në Kosovë./Katror.info