Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka nisur vizitën e tij në Kosovë me një takim me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Vizita e emisarit Sorensen ndodh në një moment të tensionuar politik në të dyja vendet. Në Kosovë po përjetohet një krizë institucionale, ndërsa në Serbi janë shënuar protesta të vazhdueshme. Sipas njohësve të zhvillimeve politike në rajon, këto rrethana kanë ndikuar në stagnimin e procesit të dialogut Kosovë–Serbi, i cili prej muajsh nuk ka shënuar ndonjë përparim domethënës.
Ende nuk janë bërë publike detajet e diskutimeve që Sorensen ka zhvilluar apo pritet të zhvillojë, por prania e tij në Prishtinë shihet si përpjekje për të ripërtërirë interesimin ndërkombëtar ndaj këtij procesi të gjatë dhe shpesh të ngadalësuar./Katror.info