Prishtina mirëpret sot edicionin e tretë të turneut ndërkombëtar të pingpongut Prishtina Open 2025, një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të vitit në Kosovë. Afro 300 pingpongistë nga 25 shtete të ndryshme kanë mbërritur në kryeqytet për të marrë pjesë në këtë turne prestigjioz, i cili do të zgjasë tri ditë, shkruan Katror.info.
Nga ora 10:00, Pallati i Rinisë dhe Sportit do të shndërrohet në qendrën e këtij sporti, me ndeshje të nivelit të lartë në kategori të ndryshme — duke filluar nga më të vegjlit në U11, e deri te veteranët. Prishtina Open ofron një platformë të rëndësishme për garuesit që të tregojnë talentin, përkushtimin dhe shpirtin sportiv në një atmosferë ndërkombëtare.
Turneu organizohet nga Klubi i Pingpongut Priping, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Çlirimit të Prishtinës. Përveç garave, pjesëmarrësit dhe publiku do të shijojnë aktivitete përcjellëse, argëtim dhe një mikpritje të ngrohtë kosovare.
Organizatorët theksojnë se synimi i këtij turneu është jo vetëm ngritja e nivelit të pingpongut në vend, por edhe promovimi i Kosovës si një destinacion serioz për ngjarje sportive ndërkombëtare.
Priping u uron suksese të gjithë sportistëve dhe i mirëpret të gjithë adhuruesit e pingpongut në Prishtina Open 2025!/Katror.info