Sot në Londër, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të jetë mikpritëse e samit të radhës të Procesit të Berlinit që organizohet me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë.
Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet për një përafrim më të ngushtë me Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Gjatë qëndrimit në Londër, Kurti do të ketë edhe takime bilaterale, si dhe do të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të samitit.
Kurti, dje u mirëprit në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Britani, ku mbajti fjalë hyrëse dhe diskutoi mbi sigurinë, zhvillimin dhe solidaritetin me Ukrainën.
Po ashtu Kurti, në Mbretërinë e Bashkuar pati takim me mërgatën shqiptare në Londër./RTKlive/Katror.info