Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” ka njoftuar se të martën dhe të mërkurën, më 4 dhe 5 nëntor 2025, do të mbahet edicioni i pestë i Festivalit të Prozës Artistike “Fiction Fest”, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e kalendarit letrar në Kosovë.
Festivali nis në ora 18:00 në Amaro, dhe do të sjellë dy mbrëmje letrare me biseda dhe lexime nga shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe bashkëkohore.
Në mbrëmjen e parë, më 4 nëntor, do të marrin pjesë Rita Petro, Mark Pashku, Bardhyl Zaimi, Suad Arilla dhe Shpresa Qeriqi.
Ndërsa në mbrëmjen e dytë, më 5 nëntor, publiku do të ketë mundësi të takojë Besnik Mustafajn, Sali Bashotën, Bardh Frangun, Shpëtim Selmanin dhe Dhurata Hotin.
Organizatorët theksojnë se pjesëmarrja e mediave është e rëndësishme për afirmimin e letërsisë shqipe të kohës sonë, duke ftuar publikun të marrë pjesë në dy mbrëmje të këndshme artistike që synojnë ta promovojnë prozën bashkëkohore shqipe dhe krijimtarinë e autorëve vendas e mbarëshqiptarë./RTKlive/Katror.info




			



                               
                             



