Për herë të katërt brenda të njëjtit vit, shumica e subjekteve politike në Kosovë do t’u drejtohen sërish qytetarëve për të kërkuar mbështetje elektorale, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe 9 nëntor, subjektet politike do të hyjnë në një tjetër cikël fushate zgjedhore. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), fushata për 24 subjektet politike me gjithsej 1,180 kandidatë do të nisë më 17 dhjetor dhe do të zgjasë deri në orën 06:59 të datës 28 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTKLive se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.
“Subjektet politike do të kenë në dispozicion 11 ditë e 7 orë për zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore. Ashtu si në zgjedhjet e fundit, një ditë para ditës së votimit nuk do të ketë heshtje zgjedhore”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka rikujtuar edhe ndalesat dhe kufizimet ligjore që duhet të respektohen gjatë fushatës, duke theksuar se ligji ndalon pengimin e fushatës së kundërshtarëve politikë, si dhe çdo formë kërcënimi apo dhune.
“Fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe larg çdo forme dhune”, ka shtuar Elezi.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 651 mijë eurosh ndaj subjekteve politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.
KQZ ka njoftuar se edhe gjatë kësaj fushate do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme për të përcjellë takimet zgjedhore, fushatat reklamuese dhe materialet promovuese të subjekteve politike. Sipas Elezit, këto raporte do të shërbejnë për krahasim me të dhënat e deklaruara në raportet financiare të fushatës.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë certifikuar gjithsej 24 subjekte politike: 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që garojnë për ulëse në Kuvend është 1,180. /RTK/Katror.info














